Lagbanner
Me fat 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë

Me fat 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë


 
Njëqind vjet më parë, më 28 nëntor 1912, në Vlorë shpallet pavarësia e Shqipërisë. Por, kjo pavarësi nuk u shpall vetëm për shtetin e Shqipërisë që ne e njohim sot.

Shqipëria më 1912 nënkuptonte një territor shumë më të madh, me shumë më shumë shqiptarë.

Shqiptarët në këtë ditë e gjetën veten të pushtuar, nga të gjitha anët. Vlora ishte i vetmi vend i sigurt, ku mund të shpallej pavarësia për tokat shqiptare të ndara në katër njësi administrative të Perandorisë Osmane, që këtë vit u mund nga fuqitë e Ballkanit. Prandaj, 28 Nëntori 1912 është edhe ditë pikëllimi.

Shqiptarët që jetonin në të ashtuquajturin Vilajeti i Kosovës, Vilajeti i Shkodrës, ai i Janinës dhe i Manastirit, u shkelën dhe u vranë në trojet e tyre. Pjesa më e madhe e tyre u pushtuan; tokat e tyre u bënë pjesë e Greqisë, Serbisë dhe të Malit të Zi. Prandaj, 28 Nëntori 1912 ngjallë ndjenja të dyfishta: të mira e të këqija; të ëmbla e të hidhura; krenare dhe poshtëruese!

Nëse ndalemi tek aspekti pozitiv i kësaj date, shteti i sotëm që ne e njohim si Shqipëri, ashtu siç ishte, me të mirat e të këqijat e saj, megjithatë e mbajti gjallë identitetin tonë kombëtar. Kjo Shqipëri e cunguar ishte shpresa jonë se do të vijnë ditët më të mira; ishte forca që na bënte të besojmë se nuk jemi vetëm edhe atëherë kur ishim; ishte ndjenja që na bënte të ngrihemi - edhe atëherë kur nuk mundeshim.

Shqiptarëtvazhdojnë të jetojnë të ndarë. Kosova është pavarësuar, por e cunguar, ndryshe nga ajo që më 1912 perceptohej si Kosovë. Të tjerët shqiptarë vazhdojnë të jetojnë të shpërndarë në Mal të Zi, në Serbi, në Maqedoni e në Greqi, duke e vazhduar prapë luftën e tyre, me metoda më paqësore, për të drejtat që u takojnë - për dinjitetin e tyre.

Pozita e shqiptarëve në Ballkan sot është shumë më e mirë se e paraardhësve tanë më 1912. Por, shqiptarët duhet të punojnë më shumë, që përvjetorët tjera të jenë më të mirë për pasardhësit tanë. Sepse, 28 Nëntori është dita që na kujton idealin për të qenë të lirë e të lumtur - në tokat tona.
Politika moderne ndërkombëtare, e ndikuar nga propaganda e fqinjëve, idealin tonë për bashkim e koncepton si agresion ndaj shteteve me të cilat ne kufizohemi. Por, a duhet ne që ta harrojmë këtë ideal?

Jo! Të gjithë shqiptarët, kudo ku jetojnë, janë shpirtërisht të bashkuar më 28 Nëntor 2012. A nuk është kjo dëshmi se ne jemi një: një komb, me të kaluarën e njëjtë, me heronjtë e njëjtë, me gjakun e njëjtë, pranë njëri-tjetrit, ndonëse në shtete të ndryshme?

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë së vitit 1912, më 28 Nëntor 1912, kishte një ideal: Shqipërinë. Atë ideal ne nuk duhet ta harrojmë. Kurrë! Prandaj, për fund, ia vlen ta kujtojmë edhe një herë thënien e luftëtarit të madh të çështjes kombëtare shqiptare, Isa Boletinit: “Unë jam mirë, kur asht’ mirë Shqipnia”.

Shqipëria e tij dhe e jona është toka ku jeton çdo shqiptar në Ballkan. Prandaj, me fat shqiptarë, kudo që jeni, 28 Nëntorin! Gëzofshi e pritshi, më të fortë, më të lumtur e më të bashkuar, çdo 28 Nëntor tjetër.

Urime 100 vjetorin e shtetit am Shqiperis!

Rrnoft kombi shqiptar!

Abaz Kryeziuabaz.kryeziu@gmail.com2012-11-28 05:34:46
Author

Fler artiklar om Albanien